Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij.
Ish-kryeministri ndodhet nën hetim për akuza të lidhura me korrupsionin, ndërsa çështja përfshin edhe persona të tjerë të afërt dhe bashkëpunëtorë.
Në të njëjtin hetim, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, si dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, akuzohen për përfshirje në korrupsion dhe veprime të paligjshme që lidhen me pastrimin e parave.
Ndërkohë, për Xhimi Begeja, ortak i Malltezit, dhe Andia Pustina, financiere në kompaninë “Homeplan”, prokuroria ka ngritur akuza për përfshirje në skema të pastrimit të parave.
Paraqitja e Berishës në SPAK është pjesë e procedurës së zbatimit të masës së sigurisë, ndërsa hetimet për këtë çështje vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të mundshme penale.
