Një tender i fundit i Bashkisë së Himarë ka ndezur polemika të forta, pasi sipas dokumenteve të publikuara, një kompani private mund të marrë rol kyç në përcaktimin e pronësisë së tokave në zonat bregdetare.
Në qendër të debatit është kryebashkiaku Vangjel Tavo, i cili akuzohet se përmes këtij procesi po delegon tek privati një funksion që i takon shtetit. Tenderi, me vlerë rreth 50 milionë lekë pa TVSH, parashikon “menaxhimin e pronave për disa fshatra”, por përmbajtja e tij rezulton shumë më e gjerë.
Sipas të dhënave, kompania fituese do të merret me regjistrimin fillestar të pasurive, hartimin e hartave kadastrale, verifikimet në terren dhe ndërtimin e një baze të dhënash për mbi 7300 prona në zona si Çorraj, Fterrë, Gjilekë, Kallarat, Pilur dhe Himarë.
Kjo do të thotë se një subjekt privat mund të ndikojë drejtpërdrejt në përcaktimin e pronarëve dhe kufijve të pronave, një proces që zakonisht është kompetencë ekskluzive e institucioneve shtetërore.
Vetë bashkia pranon në dokumentacion se ekzistojnë probleme të shumta me regjistrimin e pronave, përfshirë mospërputhje mes zonave kadastrale dhe mungesë të një sistemi të unifikuar. Këto mangësi janë përdorur si argument për të deleguar procesin te një kompani private, për shkak të mungesës së kapaciteteve teknike dhe njerëzore.
Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se kjo qasje mund të krijojë hapësira për abuzime dhe zhvendosje të kontrollit nga institucionet publike tek aktorë privatë, sidomos në një zonë me vlerë të lartë si bregdeti i Himarës.
Çështja ngre pikëpyetje serioze nëse kemi të bëjmë me një reformë administrative për zgjidhjen e problemeve pronësore, apo me një skemë që mund të ndikojë në kontrollin e një prej aseteve më të rëndësishme në jug të vendit: tokën.
