Erisa Xhixho: Spitali i Traumës në rikonstruksion, 10 salla operatore jashtë funksioni, kërkoj interpelancë urgjente me Evis Sala

Data

Deputetja Erisa Xhixho ka denoncuar një situatë që e cilëson alarmante në Spitalin Kombëtar të Traumës, duke ngritur shqetësime për ndërprerjen e shërbimeve jetike si pasojë e rikonstruksionit të godinës.

Sipas saj, mbyllja e bllokut operator qendror dhe nxjerrja jashtë funksionit e 10 sallave operatore ka sjellë një kolaps në trajtimin e pacientëve. Kjo situatë ka krijuar lista të gjata pritjeje dhe ka detyruar shumë qytetarë të kërkojnë trajtim në sektorin privat ose jashtë vendit.

Xhixho thekson se disa ndërhyrje të rëndësishme, përfshirë ato ortopedike, nuk po kryhen më, ndërsa shërbime të tjera si okulistika, urologjia dhe trajtimi i këmbës diabetike rezultojnë të kufizuara. Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për praninë e infeksioneve spitalore në ambientet e operacionit.

Deputetja ka kërkuar një interpelancë urgjente me Ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, për të marrë sqarime mbi situatën dhe për të kërkuar masa të menjëhershme.

Sipas saj, gjendja aktuale përbën rrezik edhe për përballimin e emergjencave në nivel kombëtar, duke qenë se vendi mund të mbetet pa një strukturë funksionale për trajtimin e traumave të rënda.

Xhixho e cilëson situatën si pasojë të keqmenaxhimit dhe kërkon llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se sistemi shëndetësor nuk mund të përballojë më vonesa dhe mungesë planifikimi në shërbimet jetike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related