Reldar Dedaj: Shqipëria në krizë të shumëfishtë, nga kanabizimi te shpopullimi dhe ekonomia e varur nga PPP-të

Data

Gazetari Reldar Dedaj ka ngritur alarmin për një krizë të shumëfishtë në Shqipëri, duke theksuar se situata aktuale është rezultat i zhvillimeve të akumuluara ndër vite dhe jo vetëm problem i brendshëm.

Në një intervistë televizive, ai u shpreh se vendi po përballet me deformim të modelit demokratik dhe ekonomik, ndërsa realiteti, sipas tij, po përkeqësohet çdo ditë. Një nga çështjet kryesore që ai evidentoi është fenomeni i kanabizimit, i cili, sipas tij, u zhvillua për një periudhë të gjatë në sy të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë pa reagimin e duhur.

Një tjetër shqetësim madhor është shpopullimi. Dedaj argumenton se emigrimi masiv nuk është më thjesht një fenomen ekonomik, por tregues i humbjes së besimit te institucionet dhe i një sistemi që po rrëshqet drejt autokracisë.

Ai kritikon gjithashtu modelin ekonomik të vendit, duke e cilësuar të mbështetur në mënyrë disproporcionale te partneritetet publike-private dhe koncesionet. Sipas tij, ky model favorizon një numër të kufizuar aktorësh dhe nuk krijon zhvillim të qëndrueshëm apo prodhim real.

Në analizën e tij, gazetari përmend edhe ndikimin e parave të pista në ekonomi, sidomos në sektorin e ndërtimit dhe zhvillimin urban, duke theksuar se përqendrimi i investimeve dhe popullsisë në kryeqytet po krijon një formë oligarkie ekonomike dhe politike.

Sipas Dedajt, të gjitha këto elemente së bashku tregojnë një krizë të thellë strukturore, e cila kërkon vëmendje serioze dhe reagim të menjëhershëm për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related