Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë pranë arritjes së një marrëveshjeje me Iran, duke lënë të kuptohet për një zhvillim pozitiv në konfliktin mes dy vendeve.
Në një intervistë për Fox News, ai theksoi se kontaktet diplomatike me Teheranin janë duke vazhduar, edhe pse në publik ka mesazhe të ndryshme dhe shpesh kontradiktore. Sipas tij, progresi real i negociatave është më i madh nga sa perceptohet.
Wright vlerësoi gjithashtu rolin e Donald Trump në këtë proces, duke e cilësuar si një negociator kreativ që përdor presionin dhe pasigurinë strategjike si pjesë të taktikës së tij në bisedime.
Ai u shpreh optimist se konflikti mund të përfundojë me një rezultat pozitiv, duke shtuar se rifillimi i transportit detar në rajon, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit, mund të ndodhë relativisht shpejt nëse arrihet një marrëveshje.
“Besoj se do të kemi një fund të lumtur për këtë konflikt”, u shpreh Wright, duke sinjalizuar një mundësi reale për uljen e tensioneve mes dy vendeve.
