Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Për programin e PD që shpaloi kryedemokrati Lulzim Basha pak ditë më parë, Ngjela theksoi se premtimet e tij janë politike. Sipas tij, ato do të realizohen vetëm nëse dalin në formën e ligjit. Nga ana, i pyetur nëse ka opozitë në Shqipëri, avokati tha se ka një opozitë që është shpallur, por nuk ka përkrahjen e opinionit publik. Gjithashtu, Ngjela komentoi edhe ambiciet e Argita Malltezit për të marrë drejtimin e “Foltores”. Ai thotë se nuk mund të ndalohet dikush të merret me politike. Ngjela shprehet se PD e Berishës funksionon si partitë fisnore në Greqi, ku e mbajti sa e mbajti Saliu dhe tani do t’ia kalojë fisit. Sipas tij, deri këtu nuk kemi asnjë shkelje të ligjit por do të pranohet në votime ose jo, këtë nuk e dimë se nuk kanë dalë sondazhe. Avokati thotë se një “non grata” nuk mund ta drejtojë dot një lëvizje që pretendon se janë pro-amerikanë.
-Avokat Ngjela Lulzim Basha ka shpalosur programin politik të PD për zgjedhjet e 2025-ës. Janë disa pika që kanë shkaktuar reagime të shumta dhe në opinionin publik, por edhe te eksponentët e tjerë të politikës shqiptare. P.sh; një nga pikat që prezantoi ishte se për çdo bebe, prindërit do të përfitojnë 2 mijë euro, e nëse lindin fëmijën e tretë do të përfitojnë 20 mijë euro. Është thjesht premtim elektoral, është i realizueshëm, si e keni parë ju se besoj jeni njohur me programin?
Është i realizueshëm vetëm nëse del në formën e ligjit, format e tjera nuk vlejnë. Janë premtime politike. Në qoftë se ligji këtë procedurë e pranon në funksion të lindjes së një fëmije në një martesë të rregulltë, ajo bën forcë.
-Ky propozim iu çuditi kur e dëgjuat?
Jo kanë bërë propozime dhe më të mëdhenj se kaq, por nuk i kanë realizuar ndonjëherë dhe nuk ka opinion publik t’i marr dhe t’i flaki.
-Ka një pikë tjetër, 30 mijë çifte të reja marrin subvencion të plotë të interesave për kredi për shtëpi. Ku do gjenden gjithë këto para zoti Ngjela?
Kredi janë ato, nuk po t’i jep dhuratë, kredinë e ka banka, vetëm interesin paguajnë ato. Nuk po shoh ndonjë gjë të parealizueshme, normale është.
-Çdo vit do të akordohen 100 milion euro subvencion direkt për bujqësinë dhe blegtorinë, 50 milion euro në infrastrukturë për mbështetje të drejtpërdrejtë, përfitues janë 150 mijë fermerë…
Këto janë ende në letër. Ne nuk kemi mundësi sepse ne ende nuk kemi të dhëna se a ka mundësi qeveria shqiptare për këto para ose jo. Gjithë problemi është se nëse nuk realizohet, çfarë ndodh? Asgjë. Këtu fillon përgjegjësia e politikës ku këtu nuk ekziston. Unë i them, do bëj këto e do bëj ato, mora dhe votat e nuk i bëra. Çfarë ndodh? Deri tani asgjë. Atëherë kjo sjell mosbesimin e politikës dhe njerëzit durojnë? Pse durojnë? Nuk është problemi se po durojnë me sakrificë, por nuk kanë alternativë tjetër. Dhe pushtetet dhe qeveritë ndërrohen me vonë ndërsa këto duan ta ndërrojnë me tymnajë.
-Ka opozitë sot në Shqipëri?
Jo nuk ka. Ka një opozitë që është shpallur por nuk ka përkrahjen e opinionit publik.
-Duke qenë se ku keni patur disa biseda më herët me kreun e PD, zotin Lulzim Basha, lidhur me programin politik keni kuptuar dhe sesi funksionon ajo strukturë tashmë. Mund të themi që kemi një mos përputhje totale mes asaj që ju do të donit të bënit, projektit tuaj politik dhe projektit politik që ka hartuar zoti Lulzim Basha. Kemi të bëjmë me një ndarje definitive, tashmë nuk e shihni të mundur bashkëpunimin me atë forcë politike?
Unë isha në mbledhjen e tyre, ata bënë një mbledhje të përbashkët ku unë mora pjesë. I përkraha, mora angazhimet e mia dhe kërkova që të dilte një program. Të shpallej një program i gjithë asaj lëvizje që ishte bashkuar në një tryezë. Basha e publikoi programin por kjo nuk do të thotë se kjo është përfundimtarja, pasi gjithë secili duhet të jap mendimin e tij. Unë do t’i bëj një kritizicëm këto ditë, do ta studioj dhe do ta dërgoj letrën Bashës meqë jemi në një lloj aleance. Dhe kur t’ja paraqes Lulzim Bashës letrën, do të jap mendimet e mia dhe do t’i diskutojmë. Dhe do të shikojmë si do të ecë hap pas hapi kjo aleancë.
-Nga ana e Rithemelimit, shohim çdo ditë se ka një ambicie të shtuar të zonjës Argita Malltezi për t’u përfshirë në politikë, e madje ndoshta për të qenë edhe kryetarja e ardhme e PD-së. Si i keni parë këto lëvizje të saj, duke nisur që nga daljet publike, pjesëmarrjet në protesta, retorikën që ka përdorur?
Ne nuk mund të ndalojmë dikë të merret me politikë. PD e Berishës funksionon si partitë fisnore në Greqi, ku e mbajti sa e mbajti Saliu dhe tani do t’ja kalojë fisit. Deri këtu nuk kemi asnjë shkelje të ligjit por do të pranohet në votime ose jo, këtë nuk e dimë se nuk kanë dalë sondazhe. Këtu jemi përballë një force partie politike, nuk jemi përballë një organizmi ligjor. Njihet për parti politike e cila ka programin e vetë, ka statutin e saj dhe ka bërë një zgjedhje. Por pyetja është sa e ka sondazhin sot zonja e cila do të të marrë PD? Nuk ka sondazhe. Pasi sondazhet do të na japin idenë se a e pranon opinioni publik që do të fitojë në partinë e saj zgjedhjet ku të mund PS-në. Deri tani nuk dua të krijoj pesimizëm te dikush por deri tani nuk shoh që të ketë një involv të ngritur në opinionin publik. Nuk ka një frymë por të shikojmë se a mundet ajo zonjë ta krijojë frymën, të shohim por e vështirë është.
-Me aq sa ju e keni dëgjuar të paktën qasjen e saj, e ka staturën e një liderje, karizmën për të bërë për vete demokratët?
Ajo nuk e ka se nuk ka qenë lidershipi në politikë. Tani do të kuptohet nëse e bën dot figurën apo jo. Tani ajo do të marrë një parti, PD e Saliut e cila nuk është parti ende. Parti pa vendim gjykate nuk ka, nuk është legale si parti, por është ende lëvizje. Kjo lëvizje, çfarë do të bëj? Nuk e di. Të krijojë parti tjetër apo jo? Nëse krijon nuk mund të quhet më Parti Demokratike pasi nuk e lejon ligji. Se PD ligjore është ajo e Lulzim Bashës pasi ajo ka ardhur nga historia. Po këto të Rithemelimit, përse nuk i vendosin emër? Se duan ta quajnë Parti Demokratike. Kjo quhet mesjetë, është pasion mesjetar për pushtetin. Kanë krijuar një grup, janë ndarë nga partia ligjore PD. Nuk krijojnë parti, jemi Partia Demokratike, thonë se nuk ka shtet. Se të ketë pushtet ligjor ato i dënon me gjobë e i kërdis. Ato edhe në mbledhje kur bëjnë vënë logon e Partisë Demokratike, njeri nuk iu thotë gjë por ajo është shkelje ligjore, nuk iu flet njeri pasi nuk ka pushtet gjyqësor.
-Do të krijojë pakënaqësi te mbështetësit e flaktë të Berishës, ndoshta te ata që kanë ambicie për të zënë vendin ndoshta në një kohë tjetër, fakti që kjo ambicie tashmë është shpalosur edhe te zonja Malltezi? Mund të kishte të tjerë që ndoshta kontribuojnë prej vitesh në PD, kanë qenë shumë më aktiv, shumë më pranë Berishës dhe kanë sakrifikuar shumë më tepër?
Ajo nuk është parti, por lëvizje. Një lëvizje si ajo, fisnore, nuk është e kontrolluar. Nuk ka as kongres dhe as status. Si ta kontrollosh dhe të bësh politikë kur ajo është lëvizje. Nuk është parti dhe fajin e ka media shqiptare që i thotë Partia e Rithemelimit.
-Nëse në krye të kësaj lëvizje, do të vinte zonja Malltezi, do të krijonte pakënaqësi te të tjerët, ka persona në atë lëvizje që presin me padurim fundin e Berishës për t’i zënë vendin?
Mendimi im është ato janë në krizë dhe Malltezi nuk e nxjerr dot nga kriza. Ajo nuk është parti por lëvizje. Nga ka ardhur lëvizja e asaj partie? Duhet të shkojmë në origjinë, sepse kryetari i PD, përjashtoi nga Grupi Parlamentar Sali Berishën. Me motivin që je ‘non-grata’ në Amerikë. Tani ky ‘non-grata’ në Amerikë, mund të drejtojë një parti politike të djathtë që thotë jemi pro amerikane. E shikoni absurdin logjik, Amerika e shpall ‘non-grata’, e ndërkohë thonë që mbështesim Amerikën.
