Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja të karburanteve në mbledhjen e zhvilluar më 18 prill 2026, duke sjellë një ulje të çmimit të naftës nën kufirin e 200 lekëve për litër.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin (naftën) është caktuar në 197 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë nuk duhet të kalojë 185 lekë për litër.
Për benzinën, bordi ka vendosur që çmimi maksimal me pakicë të jetë 172 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë deri në 160 lekë për litër.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi menjëherë, që prej orës 10:30 të datës 18 prill, dhe do të mbeten të vlefshme deri në një vendim të ri të bordit, në varësi të luhatjeve të tregut.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregut të karburanteve për zbatim të detyrueshëm të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve, parashikohet pezullim i aktivitetit për subjektet që nuk respektojnë çmimet e vendosura.
Institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksojnë se vendimi synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
