Irani ka njoftuar rikthimin e “kontrollit të rreptë” mbi Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit natyror.
Sipas një deklarate të transmetuar nga mediat shtetërore iraniane, vendimi është marrë si reagim ndaj asaj që autoritetet në Teheran e cilësojnë si “bllokadë e vazhdueshme” nga Shtetet e Bashkuara ndaj porteve iraniane.
Komanda e forcave të armatosura Khatam Al-Anbiya deklaroi se Irani kishte lejuar më parë, “në mirëbesim”, kalimin e një numri të kufizuar anijesh tregtare dhe cisternash nafte. Megjithatë, sipas tyre, veprimet amerikane kanë vazhduar, duke u cilësuar si “akte piraterie nën mbulesën e bllokadës”.
Për këtë arsye, autoritetet iraniane kanë vendosur të rikthejnë kontrollin e plotë dhe të rreptë mbi këtë kalim strategjik, duke rritur tensionet në një nga zonat më të ndjeshme gjeopolitike në botë.
Ngushtica e Hormuzit është një pikë kyçe për ekonominë globale, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve botërore të naftës, çka e bën çdo zhvillim në këtë zonë me ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
