Nuk është Ukraina ajo që ka nisur sulmin brenda territorit rus, duke marrë nën kontroll disa zona. Pas këtij operacioni qëndron Anglia. Të paktën kështu mendon eksperti i çështjeve të sigurisë Dritan Goxhaj. Ai gjithashtu mendon se Shtetet e Bashkuara kanë pasur dijeni, por nuk janë përzierë në këtë çështje.
I ftuar në një emision televiziv, me Erion Dushin, Goxhaj tha se në Kursk, ku Ukraina ka futur trupat e saj, nuk ka asnjë përqendrim të forcave ruse dhe territori nuk ka shërbyer si pikënisje e futjes së ushtrisë së Putinit në Ukrainë.
“Detyra e dytë ka qenë zënia e centralit bërthamor në Kursk, një central i vetër, i kohës sovjetike, me dy reaktorë bërthamorë, i cili është 60 km larg kufirit me Ukrainën. Dhe në rast se do të merrej do të përdorej për shkëmbim me centralin e Zaporizhias (ndodhet në Ukrainë, i pushtuar nga forcat ruse). Kjo do t’i jepte ukrainasve mundësinë të ishin më afër Krimesë, të cilën gjithmonë ata kanë deklaruar se do ta rimarrin”, shtoi Goxhaj.
Sipas tij, të dy këto objektiva ishin të paarritshme. “Do të duheshin të paktën 3 divizione, pasi një divizion mund të avancojë deri në 20 kilometra”, tha Goxhaj. “Është një sulm që është bllokuar pas 3 ditësh, pasi rusët kanë risjellë aty forcat e tyre ushtarake”.
