Thellohen hetimet për AKSHI-n/ Orest Sota merret në pyetje për 5 orë në SPAK, jep shpjegime për lidhjet me Ergys Agasi

Data

Hetimet për skandalin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) po thellohen, ndërsa zhvillime të reja kanë dalë në dritë nga veprimet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Biznesmeni Orest Sota ka qëndruar për rreth 5 orë në ambientet e SPAK, ku ka dhënë shpjegime në lidhje me hetimet që po zhvillohen për këtë çështje. Ai dyshohet se është pyetur për marrëdhëniet e tij me biznesmenin Ergys Agasi, i cili aktualisht është në kërkim dhe konsiderohet një nga figurat qendrore të dosjes.

Sipas burimeve mediatike, Agasi dyshohet se ka drejtuar një grup të strukturuar kriminal brenda AKSHI-t, duke ndikuar në procedurat e tenderave dhe duke ushtruar presion ndaj biznesmenëve për t’u tërhequr nga garat publike.

Emri i Sotës nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai është përmendur edhe më herët në një rast ku u ndalua me një shumë të konsiderueshme parash në automjet, ndërsa vitet e fundit ka qenë aktiv në sektorin e ndërtimit.

Sipas analistëve dhe gazetarëve që ndjekin çështjen, Sota konsiderohet një figurë kyçe në dosjen “Agasi”, për shkak të lidhjeve të dyshuara biznesore mes tyre. Dyshohet se hetimet po fokusohen në gjurmimin e parave që mund të kenë kaluar nga fondet e AKSHI-t drejt kompanive të lidhura me Agasin dhe më pas tek ato të lidhura me Sotën.

Prokuroria po verifikon nëse bëhet fjalë për një skemë të mundshme korrupsioni dhe pastrimi parash, ku fondet publike janë përdorur për përfitime private nëpërmjet tenderave dhe projekteve ndërtimore.

Ndërkohë, ekspertë ligjorë paralajmërojnë se pozicioni i Sotës mund të ndryshojë nga “person që ka dijeni” në të pandehur, në varësi të provave që do të sigurohen gjatë hetimeve.

Dosja e AKSHI-t konsiderohet një nga çështjet më të ndjeshme që po heton SPAK, për shkak të përmasave financiare dhe implikimeve të mundshme në nivele të larta të administratës dhe biznesit në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related