Ekspozita “Inkandeshente” me punët e piktorit Bashkim Dervishit është ndër ekspozitat e reja që janë hapur gjatë kësaj kohe në Tiranë. Ekspozitën e tij personale piktori Bashkim Dervishi e ka në galerinë FAB të Universitetit të Arteve dhe vjen e kuruar nga prof. asc. dr. Ardian Isufi. Studiuesi i artit Agim Janina thotë se piktori Bashkim Dervishi solli një frymë të re në artin shqiptar. “Bashkim Dervishi është nga përfaqësuesit më të mirë të brezit të talentuar të piktorëve të viteve ’70, që solli një frymë të re në artin pamor shqiptar me hapjen drejt tendencave të artit perëndimor të shek XX”, shprehet Janina.
Ekspozita prezanton një përzgjedhje të pikturave të artistit Bashkim Dervishi, ku sipas studiuesit të artit Agim Janina, piktori Bashkim Dervishi shquhet për interpretime të jo thjesht të pasqyrimit. “Por të shndërrimit të faktit real në fakt artistik drejt një pikture dekorative, me një vizatim e siluetë të qartë në ballafaqime koloristike në sipërfaqe të mëdha, por kur i duhet në sipërfaqe monokrome krijon nuanca të holla e të brishta, të cilat pas viteve ’90 do ta çonin drejt Popartit si rrymë, ku bashkëngjitur me problemet sociale që vë në dukje, mban edhe qëndrimet e tij qytetare
Ekspozita hapur në FAB është një shprehje e plotë e vlerës së papërsëritshme dhe një përfundim domethënës që i vë vulën krijimtarisë së tij të njëmendtë”, shprehet Agim Janina studiues arti. Piktori Bashkim Dervishi ka një kontribut dhe si pedagog, nxënësit e të cilit sipas Janinës kanë mbarë çmime ndërkombëtare. Ekspozita në galerinë FAB do të qëndrojë për publikun deri më datë 5 tetor.
