Zjarri masiv që përfshiu kompleksin “Arlis” pranë QSUT-së në Tiranë, duke shkatërruar 71 apartamente, ka ngritur alarmin për sigurinë në ndërtimet e reja në vend. Ndërkohë që hetimet vijojnë, autoritetet paralajmërojnë kontrolle të gjera në të gjithë sektorin.
Sipas burimeve zyrtare, inspektimi për shkaqet e zjarrit ende nuk ka përfunduar dhe nuk ka një raport përfundimtar as për dëmet e mëdha materiale të shkaktuara. Prokuroria dhe policia kanë arrestuar 4 persona dhe kanë proceduar 4 të tjerë, nën akuzat për “shkatërrim të pronës nga pakujdesia” dhe “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
Nga të dhënat paraprake dhe pamjet e kamerave të sigurisë, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një grumbull kartonësh që ka marrë flakë, ndoshta si pasojë e pakujdesisë së disa të miturve ose nga një cigare e hedhur nga katet e sipërme.
Megjithatë, përhapja e shpejtë e flakëve në të gjithë fasadën e pallatit brenda pak minutash ka ngritur dyshime serioze mbi cilësinë e materialeve të përdorura në ndërtim.
Deputeti Dashnor Sula e cilësoi ngjarjen si një “kambanë alarmi”, duke theksuar se do të nisë një proces i gjerë verifikimi për të gjitha ndërtimet e reja.
“Përveç aspektit formal të lejeve, do të verifikohen edhe materialet e përdorura. Do të përcaktohet një metodologji e re kontrolli për çdo ndërtim dhe me akt të posaçëm kjo detyrë do t’i ngarkohet IKMT-së”, u shpreh ai.
Paralelisht, kontrolle do të zhvillohen edhe për subjektet që operojnë në pallate, veçanërisht ato që përdorin bombola gazi apo oksigjeni, për të garantuar që ato ruhen sipas standardeve të sigurisë.
Masat e paralajmëruara synojnë të shmangin tragjedi të ngjashme në të ardhmen dhe të rrisin sigurinë për jetën dhe pronën e qytetarëve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
