Zjarri masiv që përfshiu pallatin 12-katësh “Arlis” pranë QSUT-së në Tiranë dyshohet se ka nisur nga pakujdesia e disa të miturve, të cilët i kanë vënë flakën mbetjeve të një marketi në zonë.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, kamerat e sigurisë të bizneseve përreth kanë dokumentuar momentet e para të ngjarjes. Në pamje shfaqen pesë të mitur që qëndrojnë për disa minuta në pjesën e pasme të një marketi, aty ku më pas shpërtheu zjarri.
Në vijim të pamjeve, dy prej tyre largohen duke mbajtur në duar një objekt që dyshohet të ketë qenë letër apo material i ndezshëm. Ata e hedhin mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë marketit dhe largohen menjëherë nga vendi.
Vetëm pak minuta më vonë, në të njëjtin vend shfaqet tym, i cili përhapet me shpejtësi dhe shndërrohet në flakë të fuqishme. Zjarri më pas përfshin fasadën e pallatit, duke u përhapur me ritme të shpejta dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha provat e siguruara nga vendngjarja.
