Bashkimi Evropian mund të bllokojë rreth 1.5 miliardë euro fonde për Serbinë, për shkak të shqetësimeve serioze mbi ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë dhe prapakthimin demokratik në vend.
Sipas raportimeve të Politico, Komisioni Evropian po shqyrton pezullimin e këtyre fondeve, ndërsa kritikat fokusohen te ligjet e reja që prekin pavarësinë e gjyqësorit dhe mënyrën e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Komisionerja për zgjerimin, Marta Kos, theksoi se këto ndryshime përbëjnë një hap serioz pas dhe nuk janë në përputhje me standardet evropiane. Ajo kërkoi që ligjet të harmonizohen me rekomandimet e Komisionit të Venecias, i cili pritet të japë një opinion përfundimtar në fund të muajit prill.
Përveç çështjeve të drejtësisë, Brukseli ka ngritur shqetësime edhe për shtypjen e protestave dhe ndërhyrjet në median e pavarur, si dhe për afrimin e vazhdueshëm të Beogradit me Rusinë.
Megjithëse Serbia nuk është ende anëtare e BE-së, ajo përfiton fonde dhe grante në kuadër të procesit të integrimit, të nisur që në vitin 2014. Këto mjete financiare synojnë të mbështesin reformat dhe afrimin me standardet evropiane.
Nga ana tjetër, ambasadori i Serbisë në BE dhe kryenegociatori për anëtarësim, Danijel Apostolović, është shprehur optimist se fondet nuk do të pezullohen dhe se vendi mbetet i përkushtuar ndaj integrimit evropian.
Megjithatë, vendimi përfundimtar i Komisionit Evropian pritet të jetë një test i rëndësishëm për marrëdhëniet mes Brukselit dhe Beogradit, si dhe për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.
