Një situatë emergjente është regjistruar mbrëmjen e sotme pranë QSUT në Tiranë, ku një pallat në zonën e njohur si “Farmacia 10” është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar disa të lënduar nga asfiksia.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, dy banorë dhe tre zjarrfikës janë transportuar drejt urgjencës së QSUT me probleme në frymëmarrje, si pasojë e tymit të dendur të krijuar nga zjarri.
Në terren kanë ndërhyrë rreth 10 mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për neutralizimin e flakëve që kanë përfshirë pothuajse të gjithë fasadën e godinës. Ndërkohë, disa banorë janë evakuuar nga apartamentet e tyre, ndërsa ambulancat qëndrojnë në gatishmëri për çdo rast emergjent.
Sipas raportimeve, situata mbetet e paqëndrueshme pasi ka pasur riaktivizim të flakëve në disa pjesë të ndërtesës, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë përcaktuar, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Ky është një rast i përsëritur për këtë kompleks, pasi edhe në vitin 2021 disa apartamente në katet e sipërme u përfshinë nga flakët.
