Ka marrë fund arratia e njërit prej autorëve të dyshuar për pengmarrjen e një 32-vjeçari në Tirana, një ngjarje e rëndë e ndodhur në muajin mars dhe e lidhur me përfitime të mëdha financiare.
Policia njoftoi se është ndaluar shtetasi 28-vjeçar J. N., i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Hijet”. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me Hysen Nezën, 33 vjeç, dhe Kevin Nezën, 25 vjeç, të cilët ishin arrestuar më herët.
Sipas hetimeve, tre personat morën me forcë 32-vjeçarin në kryeqytet dhe e transportuan në një ambient privat në zonën e Xhafzotajt, ku e mbajtën për disa orë nën kërcënim dhe dhunë fizike. Qëllimi i tyre ishte detyrimi i viktimës për të dhënë një shumë të konsiderueshme parash, që sipas burimeve arrinte deri në 2 milionë euro.
Ngjarja u zbulua pas kallëzimit të bërë nga i dëmtuari, çka çoi në ndërhyrjen e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit. Gjatë operacionit, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 5 automjete, 5 telefona celularë, një shumë parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, që ka tronditur opinionin publik.
