Dosja e AKSHI tronditëse: përgjime me kërcënime, rrëmbime dhe armë, përfshihet Alqi Bllako në komunikime me Ergys Agasi, SPAK pritet ta marrë në pyetje

Data

Zhvillime të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë nga hetimet për dosjen e AKSHI, ku përgjimet telefonike dhe dëshmitë po hedhin dritë mbi një skemë të dyshuar presioni, dhune dhe ndërhyrjesh të paligjshme në vendimmarrje.

Në qendër të këtyre zhvillimeve janë komunikimet mes biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-deputetit socialist Alqi Bllako, të cilat janë siguruar nga aparatet telefonike të sekuestruara dhe po analizohen nga SPAK.

Sipas të dhënave hetimore, në këto komunikime përmenden raste të përdorimit të dhunës psikologjike dhe fizike, përfshirë kërcënime me armë dhe episode rrëmbimi, me qëllim ushtrimin e presionit ndaj zyrtarëve për të firmosur dokumente apo për të marrë vendime të caktuara.

Në dosje janë evidentuar të paktën katër episode të tilla, ku dyshohet se janë përdorur persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore për të realizuar këto presione. Megjithëse identitetet e tyre nuk janë bërë publike, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit të përfshirë.

Një prej rasteve më të rënda lidhet me dëshminë e biznesmenit Gerond Meçe, i cili ka treguar para hetuesve se është rrëmbyer në mes të Tirana, është mbajtur peng në zonën e Gracenit dhe më pas është lënë i lirë në rrethana të paqarta. Sipas tij, autorët janë filmuar nga kamerat e sigurisë, por ende nuk janë identifikuar.

Në një tjetër episod, përmendet edhe presioni ndaj një subjekti ekonomik përmes kërcënimeve, me qëllim orientimin e procedurave të prokurimit publik në favor të interesave të caktuara.

Hetimet për këtë çështje janë ende në zhvillim dhe deri tani janë proceduar disa persona, ndërsa pritet që lista e të përfshirëve të zgjerohet. Burime bëjnë me dije se SPAK mund të thërrasë për marrje në pyetje edhe ish-deputetin Bllako, i cili më herët është dënuar për çështjen e inceneratorëve.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit të Posaçëm ka kërkuar zgjerimin e hetimeve edhe ndaj personave të tjerë të lidhur me këtë dosje, duke e cilësuar çështjen si komplekse dhe me elementë të fortë të kriminalitetit të organizuar.

Sqarim: Çdo person i përmendur në këtë çështje konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related