Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Ervin Salianji, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryetarit të partisë, Sali Berisha, duke vënë në dyshim lidershipin dhe mënyrën se si drejtohet forca më e madhe opozitare në vend.
Gjatë një interviste televizive, Salianji deklaroi se Berisha nuk pranon të hyjë në garë të brendshme brenda PD-së, pasi sipas tij është i dobët dhe rrezikon të humbasë përballë tij. Ai shtoi se gara e brendshme duhet të jetë reale dhe me kushte të barabarta për të gjithë kandidatët.
“Nëse fiton dhe e ka të sigurtë, pse nuk bën garë? Sepse është i dobët”, u shpreh Salianji, duke theksuar se lidershipi aktual nuk garanton rotacion politik dhe nuk e çon opozitën drejt fitores.
Ai u shpreh gjithashtu se, sipas statutit të partisë, Berisha nuk duhet të ishte në krye të saj dhe nuk duhej të lejohej të kandidonte për këtë post. Megjithatë, Salianji theksoi se nuk ka ndërmend të krijojë një parti të re, por do të vazhdojë betejën e tij politike brenda strukturave të PD-së.
Në analizën e tij, ai nënvizoi se problemi kryesor i opozitës është fragmentimi i votës dhe mungesa e një lidershipi të ri, duke shtuar se vetëm një reformim i brendshëm i partisë mund të sjellë ndryshimin politik dhe të mundë Edi Rama në zgjedhje.
Salianji paralajmëroi se zgjedhjet e brendshme të pritshme në parti do të jenë një test i rëndësishëm për demokracinë e brendshme të saj. Ai la të kuptohet se nëse procesi do të jetë formal ose i manipuluar, debati brenda partisë do të thellohet edhe më tej.
Deklaratat e tij nxjerrin në pah përçarjet brenda opozitës, në një moment kur ajo po përpiqet të konsolidohet përballë mazhorancës dhe sfidave të ardhshme elektorale.
