Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar pas fitores së opozitës në Hungari, duke e cilësuar këtë zhvillim si një sinjal të rëndësishëm politik për të gjithë Evropën.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali vuri theksin te fakti se edhe sistemet e konsoliduara në pushtet mund të përmbysen përmes votës, duke iu referuar humbjes së Viktor Orbán pas shumë vitesh në qeverisje dhe fitores së liderit opozitar Péter Magyar.
Ajo theksoi se rezultati i zgjedhjeve në Hungari nuk është thjesht një rotacion politik, por një mesazh më i thellë për vetë konceptin e demokracisë në Evropë.
“Fakti që një figurë si Péter Magyar, i dalë në skenë vetëm pak vite më parë, arrin të fitojë masivisht dhe të mobilizojë një shoqëri të tërë, tregon se edhe në sisteme të konsoliduara dhe të inventarizuara në pushtet, ekziston hapësira për ndryshim,” u shpreh ajo.
Në analizën e saj, Spiropali nënvizoi se demokracia nuk lidhet vetëm me votën, por edhe me standardet dhe kufizimin e pushtetit, duke sugjeruar se balancat institucionale janë thelbësore për funksionimin e një sistemi demokratik.
Edhe pse nuk përmendi drejtpërdrejt politikën shqiptare, mesazhi i saj është interpretuar si një reflektim më i gjerë mbi modelet e qeverisjes dhe rëndësinë e ruajtjes së standardeve demokratike.
Sipas saj, zhvillimet në Hungari tregojnë se shoqëritë kanë ende fuqinë për të rikthyer balancën dhe për të kërkuar institucione që funksionojnë, duke e konsideruar këtë si një “provë për të gjithë Evropën”.
