Interesi për makinat elektrike rritet ndjeshëm, por mbetet i ulët krahasuar me totalin

Data

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburanteve, shqiptarët kanë vijuar të shtojnë numrin e automjeteve, duke shënuar një rekord historik në muajin mars.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në mars u regjistruan për herë të parë 7,891 automjete, një rritje prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në total, gjatë tremujorit të parë të vitit, në vend janë shtuar rreth 22 mijë mjete të reja, ndërsa numri i përgjithshëm i automjeteve aktive ka arritur në rreth 1.07 milionë, nga të cilat shumica janë autovetura.

Edhe pse çmimet e karburanteve kanë pësuar rritje të ndjeshme – me naftën që ka kaluar 220 lekë për litër – kjo nuk ka ndikuar në uljen e kërkesës për automjete. Rreth 87% e mjeteve të regjistruara vijojnë të jenë me naftë, benzinë apo gaz.

Nga ana tjetër, është vërejtur një rritje e ndjeshme e interesit për makinat elektrike. Në tremujorin e parë u regjistruan afro 3 mijë mjete elektrike, duke shënuar një trefishim krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Dominimi në këtë segment i përket markave kineze si BYD, që ka regjistruar numrin më të madh të automjeteve elektrike në vend.

Sa i përket origjinës së mjeteve, Koreja e Jugut kryeson me 24% të importeve, e ndjekur nga Kina dhe Gjermania.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së shpejtë, makinat elektrike përbëjnë vetëm rreth 13% të regjistrimeve të reja, ndërsa tregu vijon të dominohet nga automjetet me karburant tradicional.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo tendencë rrit presionin mbi trafikun dhe mjedisin, duke e bërë të nevojshme ndërhyrjen me politika të reja për transportin dhe infrastrukturën urbane.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related