Mungesa e mundshme e karburantit për avionët është kthyer nga një skenar teorik në një shqetësim real për Europën, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të ndikojnë furnizimin energjetik.
Sipas raportimeve të Corriere della Sera, aktualisht nuk ka vend për panik, pasi furnizimi me karburant vijon të jetë i mjaftueshëm për rrjetin europian të aviacionit. Megjithatë, ekspertët theksojnë se disa skenarë emergjentë po analizohen në rast të përkeqësimit të situatës.
Një nga problemet kryesore mbetet mungesa e një inventari të saktë për rezervat reale të karburantit në Europë. Në skenarin më të keq, fluturimet mund të garantohen deri në vjeshtë, por më pas situata do të bëhej kritike nëse furnizimet nuk rifillojnë.
Ekspertët theksojnë se sfida nuk është vetëm teknike, por edhe politike: aktualisht nuk ekziston një autoritet i vetëm europian me kompetencë të plotë për të menaxhuar një krizë të tillë.
Në rast të mungesës së karburantit, prioritet do të kenë fluturimet thelbësore, si ato për ndihmë mjekësore, transport të barnave, lidhje me ishujt dhe linjat ndërkontinentale strategjike. Ndërkohë, fluturimet turistike, charter dhe ato private do të jenë të parat që do të anulohen.
Skenarët e mundshëm përballë krizës variojnë nga masa të lehta kursimi, si optimizimi i itinerareve dhe reduktimi i fluturimeve gjysmë bosh, deri te kufizime të rrepta dhe shpërndarje e centralizuar e karburantit nga Komisioni Evropian.
Në skenarin më ekstrem, mbi 65% mungesë karburanti, aviacioni europian do të hynte në një gjendje emergjence të plotë, ku vetëm fluturimet jetike do të lejoheshin dhe çdo lëvizje ajrore do të kontrollohej në mënyrë të centralizuar.
Ekspertët paralajmërojnë se një situatë e tillë do të kishte ndikim të madh jo vetëm në transport, por edhe në ekonomi, turizëm dhe zinxhirët e furnizimit në të gjithë kontinentin.
