Rikthimi i çështjes së referendumeve në Shqipëri ka nxitur debat politik dhe institucional, pasi Partia Socialiste ka bërë të ditur se ka përgatitur një draft paraprak për ligjin përkatës.
Ekspertët e shohin këtë nismë si një hap pozitiv për forcimin e demokracisë, duke theksuar se një ligj i tillë do t’u japë qytetarëve më shumë mundësi për të marrë pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrje.
Sipas Kristaq Kume, iniciativa është për t’u përshëndetur, por ai kujton se prej më shumë se një dekade mungon një ligj i plotë për referendumet, për shkak të mungesës së vullnetit politik.
Ndërkohë, Dashamir Shehi shpreh rezerva për nismën, duke paralajmëruar se ajo mund të ketë edhe prapavijë politike. Ai ngriti shqetësimin se referendumi mund të përdoret për të ndërhyrë në çështje të rëndësishme si reforma në drejtësi.
Ekspertët theksojnë se miratimi i një ligji funksional për referendumet është i rëndësishëm jo vetëm për të përmbushur standardet e Bashkimi Evropian, por edhe për të ndërtuar një sistem demokratik më të qëndrueshëm në vend.
Nga ana tjetër, kritika janë drejtuar edhe ndaj opozitës për mungesë angazhimi në këtë proces, ndërsa kërkohet që të gjitha palët politike të përfshihen në mënyrë aktive në hartimin e ligjit.
Përfaqësues të mazhorancës kanë bërë me dije se drafti do të kalojë fillimisht në konsultim publik, përpara se të procedohet më tej në Kuvend.
