Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka ngritur shqetësime mbi rrezikun që Shqipëria të kthehet në një objektiv të mundshëm të sulmeve nga Irani, në një kohë tensionesh të larta ndërkombëtare.
Në një intervistë televizive, ai theksoi se paralajmërimet e fundit, përfshirë ato nga ambasada e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë rezultat i një analize konkrete të riskut dhe nuk duhet të neglizhohen.
Sipas Softës, ekzistojnë tre faktorë kryesorë që mund ta vendosin Shqipërinë në fokus të Teheranit:
- prania e kampit të MEK në territorin shqiptar
- aleanca e fortë me SHBA-të
- qëndrimet politike, përfshirë rezoluta që e cilësojnë Iranin si shtet sponsor të terrorizmit
Ai sqaroi se rreziku nuk është domosdoshmërisht vetëm ushtarak, por mund të përfshijë edhe sulme kibernetike apo hibride, që synojnë infrastrukturën kritike.
Eksperti rekomandoi transparencë më të madhe nga institucionet dhe rritje të masave të sigurisë, veçanërisht në zonat sensitive si:
- zonat pranë kampit MEK, kryesisht në Durrës
- portet dhe aeroportet
- digat dhe infrastrukturat energjetike
Softa theksoi gjithashtu se Irani ka përdorur retorikë të ashpër ndaj Shqipërisë, duke e konsideruar një vend që bashkëpunon me kundërshtarët e tij.
Në këtë kontekst, ai apeloi për vigjilencë dhe koordinim më të mirë institucional, duke theksuar se informimi i qytetarëve dhe masat parandaluese janë kyçe për përballimin e çdo rreziku të mundshëm.
