Prokuroria ka kërkuar zgjatjen me tre muaj të hetimeve për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, një ngjarje e rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë.
Nën hetim janë Elvis dhe Gjon Shkambi, nip e xhaxha, të akuzuar për “vrasje të funksionarëve publikë” dhe “vrasje në rrethana cilësuese”, në lidhje me atentatin ku humbi jetën gjyqtari menjëherë pasi shpalli një vendim në sallën e gjyqit.
Sipas burimeve, prokuroria ka kërkuar ekspertizë nga policia shkencore për zbërthimin e telefonave të të dyshuarve, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm.
Të dy të dyshuarit ndodhen në burg, ndërsa njëri prej tyre pretendon se nuk kishte dijeni për planin e vrasjes. Paralelisht, familja e gjyqtarit po përgatitet të ndjekë rrugë ligjore për njohjen e tij si “Dëshmor i Atdheut”.
Vrasja e Astrit Kalaja ndodhi më 6 tetor 2025 dhe mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në drejtësinë shqiptare.
