Evropa po përballet me një situatë të ndërlikuar në sektorin e aviacionit, si pasojë e krizës energjetike të shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe bllokimi i Ngushtica e Hormuzit, një arterie kyçe për transportin global të naftës.
Pesë vende të rëndësishme të Bashkimit Europian – Italia, Gjermania, Spanja, Portugalia dhe Austria – kanë kërkuar masa të përbashkëta nga Komisioni Europian, përfshirë taksimin e fitimeve të tepërta të kompanive energjetike, me qëllim përballimin e rritjes së çmimeve dhe mbështetjen e konsumatorëve.
Ndikimi i menjëhershëm është ndjerë në aviacion. Disa aeroporte kryesore në Itali, si Milano Linate, Venecia, Treviso dhe Bolonja, kanë raportuar mungesë ose kufizim të furnizimit me karburant për avionët. Në disa raste, është vendosur kufi maksimal prej 2,000 litrash për fluturimet e shkurtra, ndërsa prioritet u është dhënë fluturimeve mjekësore, shtetërore dhe atyre me distanca të gjata.
Kufizimet lidhen kryesisht me furnizimin nga një operator i vetëm, por situata mbetet delikate në shkallë evropiane, sidomos deri në mbërritjen e ngarkesave të reja të karburantit nga Gjiri Persik. Ndërkohë, linjat ajrore po përpiqen të përdorin furnizues alternativë për të shmangur anulimet.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo krizë mund të sjellë vonesa, ndryshime itinerarësh dhe rritje të mëtejshme të kostove të udhëtimit ajror, veçanërisht gjatë periudhës së ngarkuar të Pashkëve.
Nëse tensionet vazhdojnë, ndikimi në transportin ajror dhe ekonominë evropiane pritet të thellohet edhe më tej.
