Lëvizja detare në Ngushtica e Hormuzit ka nisur të rikthehet gradualisht, pasi të paktën pesë anije kanë kaluar përmes saj, duke sinjalizuar një zbutje të pjesshme të bllokimit disa javor.
Sipas të dhënave të navigacionit detar, mes anijeve që përshkuan ngushticën ishin tre cisterna nafte të menaxhuara nga Omani, një anije kontejnerësh franceze dhe një anije japoneze për gaz të lëngshëm natyror.
Ky zhvillim vjen pasi Irani ka bërë të ditur se do të lejojë kalimin vetëm për anijet që vijnë nga vende që i konsideron “jo armiqësore”, duke mbajtur ende kontroll të fortë mbi këtë korridor strategjik.
Ngushtica ishte mbyllur në fund të shkurtit, pas përshkallëzimit të konfliktit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin, duke shkaktuar ndikim të menjëhershëm në tregjet globale të energjisë dhe zinxhirët e furnizimit.
Një nga anijet që arriti të kalojë ishte e kompanisë franceze CMA CGM, e cila ndryshoi destinacionin në sistemin e identifikimit për të sinjalizuar përkatësinë franceze, në përpjekje për të shmangur rrezikun gjatë kalimit.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka theksuar se vetëm përmes diplomacisë mund të arrihet rihapja e plotë dhe e sigurt e kësaj rruge jetike për tregtinë globale.
Megjithëse ky është një sinjal pozitiv, trafiku mbetet i kufizuar dhe situata në rajon vazhdon të jetë e tensionuar.
