Paralajmërimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për rrezik të mundshëm nga Irani ka ndezur debat në politikën shqiptare, duke sjellë reagime të forta nga opozita.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një situatë të ndjeshme sigurie dhe kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga Presidenti.
Sipas Mediut, vendi ka një konflikt të hapur me Iranin, që lidhet me disa zhvillime të viteve të fundit, përfshirë strehimin e opozitës iraniane në Shqipëri dhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
“Shqipëria ka një konflikt të hapur me Iranin. Janë marrë vendime të rëndësishme, përfshirë shpalljen e Gardës Revolucionare si organizatë terroriste. Kjo kërkon analizë serioze dhe masa konkrete,” u shpreh ai.
Mediu theksoi se paralajmërimi i Ambasadës Amerikane nuk është rastësor, por bazohet në informacione të shërbimeve inteligjente, çka e bën situatën edhe më të ndjeshme.
Ai shtoi se mbledhja e Këshillit të Sigurisë është e domosdoshme për të vlerësuar rreziqet dhe për të koordinuar përgjigjen institucionale në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Reagimi i Mediut vjen në një klimë të tensionuar ndërkombëtare, ku zhvillimet në Lindjen e Mesme po reflektohen edhe në diskutimet për sigurinë në vend.
