Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e emëruar nga kryeministri Edi Rama si drejtuese politike e qarkut të Fierit, e ka nisur punën me goditje të fortë në strukturat e Partisë Socialiste. Por lëvizja e saj e parë është zhdukja nga skena e kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi. Një figurë jo e dorës së dytë, pasi Subashi cilësohet si një “elefant” politik i zonës. Në të gjitha takimet e zhvilluar me strukturat e qarkut, Balluku ka anashkaluar Subashin, duke mos e bërë pjesë të axhendës. Ky largim i Armando Subashit ra në sy në mbledhjen e Asamblesë së Zgjeruar të Partisë Socialiste të Fierit për ndezjen e motorëve për zgjedhjet e 2025.
Në Asamble morën pjesë të gjithë eksponentët e zonës me përjashtim të kryebashkiakut Subashi. Burime të gazetës raportojnë se marrëdhëniet mes Ballukut dhe Subashit janë të ftohta. Madje zëra pranë numrit dy të qeverisë kanë nisur të përhapin lajmin se Subashi do largohet edhe nga Bashkia e Fierit përpara përfundimit të mandatit. Nuk dihet nëse ky largim do të vijë si pasojë e ndonjë dosjeje në SPAK, apo nëse Subashi nuk hyn më në listën e të preferuarve të dyshes Rama-Balluku. Ndërkohë mësohet se ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e emëruar nga kryeministri Edi Rama si drejtuese politike e qarkut të Fierit ka larguar nga strukturat drejtuese edhe besnikët e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili ka qenë drejtues politik i PS në këtë qarq.
Reagon Balluku
Zv/kryeministrja Belinda Balluku ka reaguar për ndryshimet që kryeministri Edi Rama bëri në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së, ku atë e emëroi drejtuese politike të Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit. Ajo shkruan në “Facebook” se ndihet e vlerësuar që Rama e ka caktuar të drejtojë Qarkun e Fierit, të cilën e konsideron zemrën e partisë. “Ndihem e vlerësuar dhe shumë e motivuar me detyrën e re të caktuar nga Kryetari, @ediramaal për të drejtuar qarkun e Fier, zemrën e Partisë Socialiste! Qindra mesazhe dhe urime, të cilat më shtojnë përgjegjësinë time dhe dua me përulësi që secili prej jush të jetë dhe të ndihet pjesë e një ekipi të madh, i cili do të punojë me përkushtim për fitoren në zgjedhjet #2025 , ashtu si socialistët dinë të punojnë. Së bashku ne ia dalim gjithmonë!“, shkroi Balluku pak ditë më parë.
