Qeveria spanjolle ka miratuar një paketë kompensimi prej 20 milionë eurosh për viktimat e aksidentit tragjik me tren, ku humbën jetën 45 persona dhe mbi 150 të tjerë mbetën të plagosur. Vendimi u bë publik nga ministri i Transportit, Oscar Puente, në një kohë kur presioni politik ndaj tij po rritet ndjeshëm.
Sipas planit të shpallur, familjet e viktimave do të përfitojnë nga 216 mijë euro secila, shumë që pritet të shpërndahet brenda një afati maksimal prej tre muajsh. Paketa përfshin gjithashtu lehtësime tatimore dhe pagesa sigurimi, duke e çuar mbështetjen financiare totale në një nivel të konsiderueshëm për familjarët e të ndjerëve.
Për të plagosurit, kompensimi financiar do të variojë nga 2,400 deri në 84,000 euro, në varësi të dëmtimeve të pësuara dhe pasojave shëndetësore afatgjata.
“Viktimat nuk mund të presin me vite për drejtësi dhe mbështetje. Procedurat burokratike nuk mund të jenë më të forta se nevojat njerëzore”, deklaroi ministri Puente, duke theksuar se qeveria po përpiqet të reagojë sa më shpejt përballë një tragjedie kombëtare.
Megjithatë, aksidenti ka hapur një krizë të fortë politike. Ministri i Transportit ndodhet nën presion të ashpër pas këtij aksidenti, i cili ndodhi në Adamuz, si dhe pas disa incidenteve të tjera të regjistruara brenda së njëjtës javë në rrjetin hekurudhor, përfshirë vdekjen e një makinisti treni dhe dy aksidente të tjera pa viktima.
Në këtë klimë tensioni, Partia Popullore, forca kryesore opozitare në Spanjë, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit, duke e akuzuar për dështim në garantimin e sigurisë në transportin publik dhe për përgjegjësi politike në zinxhirin e ngjarjeve.
I pyetur nëse do të largohej nga detyra, Oscar Puente u shpreh se ka ndërgjegje të pastër dhe se po kryen detyrën e tij me përgjegjësi, duke premtuar transparencë të plotë dhe bashkëpunim me hetimet.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Spanjë dhe ka rikthyer në qendër të debatit sigurinë e transportit hekurudhor, përgjegjësinë politike dhe reagimin e shtetit përballë tragjedive të mëdha njerëzore.
