Tensionet brenda Partia Demokratike kanë qenë në fokus të një debati televiziv mes analistit Albatros Rexhaj dhe gazetarit Bledian Koka, të cilët diskutuan për raportin mes Sali Berisha dhe Ervin Salianji.
Rexhaj ngriti pikëpyetje mbi faktin pse Salianjit nuk iu dha mundësia për të kandiduar për drejtimin e partisë, duke lënë të kuptohet se kjo krijon perceptimin e një frike politike nga ana e Berishës.
Nga ana tjetër, Koka e kundërshtoi këtë ide, duke theksuar se Berisha ka treguar mbështetje për Salianjin edhe në momente të vështira, përfshirë periudhën kur ai ndodhej në burg, si dhe duke i dhënë rol në strukturat e partisë.
Sipas Kokës, përplasjet e fundit duhet parë në kontekstin e zhvillimeve më të gjera politike dhe prioriteteve të opozitës në momente kyçe.
Debati pasqyron ndarjet e mendimeve brenda opinionit publik dhe vetë opozitës, ndërsa çështja e garës për drejtimin e PD-së vijon të mbetet një nga temat më të nxehta në politikën shqiptare.
