Një paralajmërim i fundit nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri për rreziqe të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin ka nxitur reagime në vend.
Këshilltari për sigurinë në Partia Demokratike, Xhemal Gjunkshi, e cilësoi këtë njoftim si një sinjal serioz për sigurinë kombëtare, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një paralajmërim rutinë.
Sipas tij, kur një aleat strategjik si SHBA ngre alarmin për rrezik potencial në territorin shqiptar, institucionet duhet të reagojnë menjëherë me masa konkrete dhe transparencë për qytetarët.
Ambasada amerikane u ka bërë thirrje shtetasve të saj të tregojnë kujdes, duke paralajmëruar se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë objekte apo individë të lidhur me interesat amerikane ose me elementë të rezistencës iraniane në Shqipëri.
Në reagimin e tij, Gjunkshi kritikoi mungesën e reagimit institucional, duke e cilësuar heshtjen si shqetësuese dhe potencialisht të rrezikshme.
“Mosveprimi në një situatë të tillë nuk është thjesht neglizhencë, por papërgjegjshmëri,” theksoi ai, duke kërkuar më shumë angazhim për garantimin e sigurisë publike.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm, duke shtuar edhe shqetësimet për ndikimin e tyre në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë.
