GJKKO pritet të shqyrtojë sot kërkesën e Ajola Xoxa për ndryshimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ka kërkuar lehtësim të kësaj mase duke argumentuar se gjendja e saj shëndetësore, për shkak të shtatzënisë, kërkon trajtim më fleksibël. Ajo ka kërkuar gjithashtu mundësinë për të udhëtuar jashtë vendit.
Ndaj saj, që prej shkurtit 2025, janë në fuqi masat “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”, të vendosura në kuadër të hetimeve.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Erion Veliaj, ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka ngritur ndaj tij 13 akuza, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave, mosdeklarimin e pasurisë dhe shpërdorimin e detyrës.
Vendimi i gjykatës për kërkesën e Xoxës pritet të japë një drejtim të ri për kushtet e saj ligjore gjatë vijimit të procesit hetimor.
