Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka lëshuar një paralajmërim të fortë për të gjithë drejtuesit e mjeteve, duke theksuar se shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor nuk do të tolerohen.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai ka publikuar pamje të manovrave të rrezikshme në rrugë, duke vënë theksin te parakalimet e gabuara dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Lamallari nënvizoi se përdorimi i telefonit në timon përbën një rrezik serioz për jetën, jo vetëm të drejtuesit të mjetit, por edhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
“Nuk ka asgjë më të rëndësishme apo urgjente se kujdesi për jetën dhe shëndetin tënd dhe të të tjerëve, kur je në timon. Çdo sekondë që heq sytë nga rruga për një mesazh apo telefonatë, është një rrezik real”, theksoi ai.
Sipas ministrit, autoritetet do të zbatojnë masa të rrepta dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë për drejtuesit që kapen duke përdorur celularin gjatë drejtimit.
Ai e cilësoi këtë sjellje jo si një gabim të vogël, por si një veprim që mund të ketë pasoja fatale, duke theksuar se siguria rrugore mbetet prioritet absolut për institucionet.
