Pas përplasjes me Erjona Ismaili dhe tensioneve me Edi Rama, Elisa Spiropali reagon me mesazh të koduar: “Mbaje fytyrën nga drita dhe hijet mbeten pas”

Data

Një ditë pas tensioneve të forta në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Elisa Spiropali ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke dhënë një mesazh që është interpretuar si indirekt ndaj zhvillimeve të fundit.

“Të dielë të bukur. Mbaje fytyrën nga drita dhe hijet mbeten pas”, shkruan Spiropali, pa përmendur drejtpërdrejt ngjarjen apo personat e përfshirë.

Ky reagim vjen pas një përplasjeje të fortë me ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, gjatë mbledhjes së zhvilluar një ditë më parë. Sipas burimeve, tensioni nisi kur Spiropali reagoi me të qeshura gjatë prezantimit të strategjisë së komunikimit nga Ismaili, çka solli ndërhyrjen e ministres dhe më pas përshkallëzimin e debatit.

Situata u përkeqësua më tej me ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama, i cili iu drejtua Spiropalit me tone të ashpra, duke i kërkuar të mos ndërhynte gjatë fjalës së ministres dhe duke paralajmëruar masa disiplinore.

Burimet bëjnë me dije se Spiropali ka këmbëngulur që Ismaili të kërkonte ndjesë, ndërsa tensionet kanë vazhduar për disa minuta, deri në ndërhyrjen e deputetit Erion Braçe, i cili ka ndihmuar në qetësimin e situatës.

Debati në mbledhje vjen në një klimë të tensionuar brenda Partisë Socialiste, pas përplasjeve të mëparshme në distancë mes Spiropalit dhe kreut të Grupit Parlamentar, Taulant Balla, lidhur me mungesën e saj në një votim të rëndësishëm në Kuvend për çështjen e Belinda Balluku.

Ndërkohë, postimi i fundit i Spiropalit shihet si një reagim i matur, por me nëntekst politik, që lë të hapur interpretimin mbi mesazhin dhe drejtimin e tij brenda radhëve të mazhorancës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related