Postimet e fundit të kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale, ku ai publikoi pamje nga mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kanë nxitur reagime të shumta nga qytetarët.
Në seksionin e komenteve, shumë ndjekës kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me çështje si korrupsioni dhe rritja e çmimeve, veçanërisht ato të karburanteve dhe produkteve bazë.
Një qytetare i është drejtuar kryeministrit me një mesazh të drejtpërdrejtë, duke theksuar se pushteti nuk duhet parë si privilegj personal, por si një përgjegjësi ndaj qytetarëve.
“Pushteti nuk është privilegj për t’u shijuar, por barrë për t’u mbajtur me dinjitet. Nëse një drejtues nuk i shërben qytetarit, për çfarë duhet të qëndrojë në post?”, shkruan ajo, duke kritikuar mungesën e përgjegjësisë dhe distancën mes qeverisjes dhe nevojave reale të njerëzve.
Një tjetër qytetar ka ngritur shqetësimin për çmimet e larta të naftës në Shqipëri, duke i krahasuar ato me vendet fqinje si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku sipas tij karburanti është më i lirë.
Po ashtu, nuk kanë munguar edhe thirrjet për luftë më të fortë kundër korrupsionit. Një komentues i kërkon qeverisë të ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e ligjit dhe ndërtimin e një administrate më të drejtë.
“Luftojeni përpara se të na gllabërojë të gjithëve! Bëjeni ligjin të veprojë drejt dhe në kohë për çdo qytetar”, shkruan ai, duke e lidhur këtë proces edhe me aspiratat europiane të vendit.
Reagimet tregojnë një nivel të lartë shqetësimi publik për çështje ekonomike dhe qeverisjen, ndërsa rrjetet sociale po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një hapësirë ku qytetarët kërkojnë llogari dhe shprehin hapur pakënaqësitë e tyre.
