Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar me akuza të ashpra ndaj qeverisë, duke e cilësuar si “katastrofale” mbrojtjen që sipas tij i është bërë Belinda Balluku nga mazhoranca socialiste.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjete sociale, Berisha deklaroi se vendimi për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Ballukut përbën një precedent të rëndë dhe dërgon një mesazh negativ për qytetarët.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama, me këtë veprim, ka treguar se “nuk njeh ligj” dhe se është mbi drejtësinë. Ai shtoi se kjo situatë përforcon perceptimin për një sistem ku pushteti mbron zyrtarët e tij nga përgjegjësia ligjore.
Berisha argumentoi gjithashtu se fenomeni i emigracionit lidhet me korrupsionin dhe keqqeverisjen, duke theksuar se Shqipëria, pavarësisht pasurive natyrore, sipas tij është “e varfëruar dhe e plaçkitur”.
Në vijim të deklaratave, ai akuzoi qeverinë për shpërndarje të padrejtë të pasurive publike dhe për një sistem ku, sipas tij, ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë.
