Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, ka dhënë miratimin për këqyrjen e pajisjeve elektronike të sekuestruara në kuadër të hetimeve ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Pas këtij vendimi, rreth 80 celularë dhe pajisje kompjuterike janë dorëzuar për ekspertim në laboratorët e SPAK.
Sipas burimeve pranë hetimit, prokurorët dyshojnë se këto pajisje mund të përmbajnë komunikime mes ish-zyrtarëve dhe biznesmenëve, që lidhen me paracaktimin e tenderave me vlera të mëdha financiare. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që u paraqit në kërkesën drejtuar gjykatës për lejimin e ekspertimit.
Gjykata e pranoi kërkesën dhe, sipas procedurës ligjore, procesi i analizës duhet të përfundojë brenda 40 ditëve. Ndërkohë, personat e përfshirë në hetim, përfshirë ish-zyrtarë dhe përfaqësues biznesi, kanë të drejtë ta kundërshtojnë vendimin në rrugë gjyqësore.
Paralelisht, Belinda Balluku ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar masën e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit”, si dhe pezullimin nga detyra.
Ajo është marrë zyrtarisht e pandehur për çështjen e tunelit të Llogarasë dhe po hetohet gjithashtu për disa lote të Unazës së Madhe. Ndërkohë, Kuvendi refuzoi më herët heqjen e imunitetit të saj, duke kufizuar mundësinë për masa më të rënda sigurie nga ana e SPAK.
