Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar përgjime të reja nga dosja hetimore e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ku sipas tij provohet ndërhyrja direkte politike në tenderat e Unazës së Madhe dhe përfshirja e kryeministrit Edi Rama në vendimmarrje.
Në bisedat e publikuara, Balluku komunikon me ish-kreun e ARRSH-së, Evis Berberi, për kontratat e supervizionit të mirëmbajtjes së rrugëve, ku shfaqet e irrituar për hapjen e disa procedurave dhe për faktin se veprimet po kryhen pa dijeninë e saj.
“Do më çmendësh!” – Balluku për supervizionet
Në një nga mesazhet më të forta, Balluku shprehet se një nga kontratat i është premtuar një pale tjetër, duke përmendur edhe kryeministrin Rama:
“Për këtë flet ky se ka rënë dakord me Ramën! Dyta pse ia ke bërë për 3 vite? Se është çmenduri! Merru me këto se do më çmendësh. Sqaroja atij që nuk do hapen procese të reja se nuk lejojnë financat”, thuhet në një nga komunikimet.
Në një tjetër moment, ajo shton:
“E po një do ta marrë ky super k…, ia ka premtuar R”.
Pakënaqësi për veprime pa dijeni
Nga përgjimet rezulton se Balluku shpreh hapur pakënaqësi për faktin se vartësi i saj ka hapur disa procedura supervizioni pa e informuar:
“S’më pëlqen fare që unë nuk di çfarë bën ti”, i thotë ajo Berberit.
Ndërkohë, diskutimet fokusohen në kontrata trevjeçare të supervizimit të mirëmbajtjes së akseve kryesore rrugore në disa lote, të publikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Berisha: Prova flagrante të kapjes së tenderave
Sipas Berishës, këto përgjime tregojnë se vendimmarrja për tenderat nuk është bërë mbi bazë ligjore, por mbi pazare politike dhe premtime të drejtpërdrejta nga maja e qeverisë.
Publikimi i këtyre përgjimeve vjen në një moment kritik, kur SPAK ka kërkuar zyrtarisht nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke i hapur rrugë arrestimit të saj për shkelje të barazisë në tendera dhe abuzime me fondet publike.
Hetimet pritet të hedhin dritë mbi rolin e secilit zyrtar në këtë aferë, ndërsa tensionet politike po rriten ndjeshëm.
