Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka bërë të ditur ministrave të jashtëm të G7 se konflikti mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iran pritet të zgjasë edhe 2 deri në 4 javë të tjera.
Sipas burimeve të cituara nga mediat ndërkombëtare, Rubio ka deklaruar gjatë takimit në Francë se SHBA-të janë pranë nisjes së negociatave serioze me Iranin, ndërsa synojnë që konflikti të përfundojë “brenda javësh, jo muajsh”.
Ai theksoi se objektivat strategjikë të SHBA-së mund të arrihen pa një operacion tokësor, duke shmangur kështu dërgimin e trupave në terren.
“Ne mund t’i arrijmë të gjitha objektivat tona pa forca tokësore,” u shpreh ai, duke lënë gjithsesi të hapur mundësinë e fleksibilitetit në rast zhvillimesh të papritura.
Rubio bëri të ditur gjithashtu se komunikimi me Iran po zhvillohet përmes ndërmjetësve dhe jo drejtpërdrejt. Sipas tij, mbetet e paqartë se kush po merr vendimet përfundimtare në Teheran, gjë që vështirëson procesin diplomatik.
Ndërkohë, dy zyrtarë iranianë janë shprehur të gatshëm për negociata, por u nevojitet miratimi i udhëheqjes së lartë. Për më tepër, komunikimi është i vështirë pasi zyrtarët iranianë shmangin përdorimin e telefonave nga frika e gjurmimit.
Deklaratat e Rubios vijnë në një moment të përshkallëzimit të konfliktit, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë kryer sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore në Iran, përfshirë një uzinë të pasurimit të uraniumit në provincën Yazd.
Pavarësisht intensitetit të sulmeve, autoritetet iraniane kanë deklaruar se nuk ka pasur rrjedhje të materialeve radioaktive, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe e paparashikueshme në rajon.
