Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka dhënë pretencën për 21 të pandehur në dosjen e njohur si “ARRSH”, një çështje që lidhet me shkelje të dyshuara në procedurat e tenderave publikë.
Të akuzuarit, shumica ish-vartës në struktura që lidhen me infrastrukturën, përballen me disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, shkeljen e barazisë në tendera, mashtrimin me pasoja të rënda dhe falsifikimin e dokumenteve.
Seanca e fundit në GJKKO u shty për shkak të mungesës së dy avokatëve, ndërsa seanca e radhës është caktuar për më 18 maj, ku pritet të vijojnë mbrojtjet e të pandehurve.
Sipas pretencës së SPAK, dënimet e kërkuara variojnë nga masa të lehta si shërbimi i provës apo pezullimi i dënimit, deri në disa vite burg për rastet më të rënda. Për disa nga të pandehurit, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimet reduktohen me një të tretën.
Ndërkohë, hetimet nuk ndalen vetëm në këtë grup. Sipas burimeve, SPAK po vijon verifikimet për një dosje më të gjerë që përfshin projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë segmente rrugore dhe tendera me vlera të konsiderueshme financiare.
Kjo dosje përfshin analizimin e dokumenteve dhe procedurave për projekte të realizuara në vitet e fundit, duke u konsideruar si një nga hetimet më të mëdha në fushën e infrastrukturës publike në vend.
Procesi gjyqësor vijon dhe vendimet përfundimtare pritet të jepen nga gjykata, ndërsa të gjithë të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.
