Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke pretenduar keqmenaxhim masiv të fondeve publike.
Gjatë një takimi me Departamentin e Çështjeve Sociale në selinë e PD-së, Berisha deklaroi se Balluku ka administruar rreth 12 miliardë euro gjatë kohës në detyrë, ndërsa sipas tij investimet reale nuk i kalojnë 1 miliard euro.
Ai theksoi se një pjesë e madhe e veprave publike janë “shembur njëra pas tjetrës” ose nuk kanë dhënë rezultat konkret në terren.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te çështja e inceneratorit të Tiranës, duke e cilësuar atë si një nga aferat më të mëdha financiare në vend. Sipas tij, rreth 130 milionë euro janë zhdukur pa lënë gjurmë, ndërsa projekti nuk është realizuar.
“Shqiptarët janë plaçkitur vit pas viti nga zyrtarët më të lartë të vendit,” u shpreh Berisha, duke shtuar se fondet publike janë shpërdoruar ndërkohë që qytetarët përballen me vështirësi ekonomike në rritje.
Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku çështjet e korrupsionit dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë mbeten në qendër të debatit publik.
