Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit të luftës mes SHBA-së dhe Iranit, duke e cilësuar situatën si një provë se vendimi i vendit të tij për të zhvilluar armë bërthamore ka qenë i drejtë.
Në një fjalim para Asamblesë së Lartë Popullore, Kim akuzoi Shtetet e Bashkuara për “akte terrorizmi dhe agresion të sponsorizuar nga shteti”, duke theksuar se presioni ndërkombëtar për çarmatosje nuk është i pranueshëm për Phenianin.
Sipas tij, zhvillimet në Lindjen e Mesme tregojnë se vendet që nuk posedojnë armë bërthamore janë më të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve ushtarake nga fuqitë e mëdha.
“Statusi bërthamor i vendit tonë është i pakthyeshëm”, deklaroi Kim, duke theksuar se Koreja e Veriut nuk do të heqë dorë nga arsenali i saj në asnjë rrethanë.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur tensionet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm, ndërsa nga ana tjetër janë sinjalizuar edhe përpjekje për rikthimin e dialogut diplomatik mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut, pas ndërprerjes së bisedimeve në vitin 2019.
