Gjykata Kushtetuese ka hedhur shortin për shqyrtimin e kërkesës së deputetëve Agron Shehaj dhe Erald Kapri, të cilët pretendojnë se u janë shkelur të drejtat kushtetuese nga Kuvendi.
Sipas raportimeve, relator i çështjes është caktuar gjyqtari kushtetues Sandër Beci, i cili do të shqyrtojë pretendimet e dy deputetëve.
Në kërkesën e tyre, Shehaj dhe Kapri argumentojnë se të drejtat e tyre si deputetë janë cenuar për shkak të mosveprimit të Kryetarit të Kuvendit, lidhur me kërkesat zyrtare për akses në materialet e një dosjeje të SPAK-ut.
Bëhet fjalë për dokumentacionin mbi të cilin pritej të zhvillohej votimi për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut, për të cilin deputetët pretendojnë se nuk kanë pasur informacion të plotë.
Kërkesa është dorëzuar më 26 shkurt, ndërsa tashmë me caktimin e relatorit, pritet që Gjykata Kushtetuese të vijojë procedurat për shqyrtimin e saj.
