Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, Kapiteneria e Portit të Vlorës ka marrë vendim për ndalimin e lëvizjes së mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit. Ndalimi ka hyrë në fuqi ditën e sotme, më 24 janar 2026, në orën 12:00 dhe do të vijojë deri më 26 janar 2026, në orën 06:00 të mëngjesit.
Autoritetet bëjnë me dije se masa është ndërmarrë për arsye sigurie, me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme detare si pasojë e dallgëzimit të fortë dhe erërave intensive.
Ndërkohë, lëvizja e anijeve të transportit ndërkombëtar detar do të vijojë normalisht, sipas itinerareve të parashikuara. Sa i përket transportit të pasagjerëve, trageti i linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë ka anuluar mbërritjen e planifikuar për datën 25 janar 2026.
Kapiteneria u bën thirrje peshkatarëve dhe pronarëve të mjeteve të vogla të respektojnë ndalimin dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në përmirësimin e kushteve të motit.
