Psikologu Eduard Tafaj ka shpjeguar se aktet e rënda kriminale nuk janë zakonisht ngjarje të papritura, por rezultat i një procesi të gjatë tensioni emocional që grumbullohet me kalimin e kohës.
I ftuar në një studio televizive, Tafaj theksoi se shumica e krimeve lindin nga konflikte të pazgjidhura, të cilat shtyhen vazhdimisht dhe krijojnë një ngarkesë të fortë psikologjike tek individi.
Sipas tij, kjo situatë mund të krahasohet me një “tenxhere me presion”, ku tensioni rritet gradualisht derisa arrin në një pikë shpërthimi.
“Konfliktet e akumuluara krijojnë një lloj ‘bombe emocionale’ brenda individit. Nëse nuk gjendet një kanal i duhur për të shkarkuar këtë tension, pasojat mund të jenë të rënda”, u shpreh ai.
Psikologu nënvizoi se çdo individ ka nevojë për mënyra të shëndetshme për të përballuar stresin dhe problemet emocionale. Në mungesë të këtyre mekanizmave, mund të shfaqen sjellje të papërshtatshme, përfshirë edhe dhunën.
Ai shtoi se shpesh në raste të tilla ka sinjale paralajmëruese, si debate të vazhdueshme apo tensione familjare, të cilat nëse nuk adresohen në kohë, mund të përshkallëzohen në ngjarje tragjike.
Sipas Tafajt, ndërgjegjësimi dhe ndërhyrja e hershme janë thelbësore për të parandaluar situata të tilla, duke theksuar rëndësinë e komunikimit dhe mbështetjes psikologjike në familje dhe shoqëri.
