Deputeti i Partia Demokratike, Saimir Korreshi, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një pushtet që, sipas tij, po vendoset mbi drejtësinë.
Gjatë një interviste televizive, Korreshi u shpreh se qytetarët janë të stepur për të protestuar, pasi shohin se vendimmarrja politike po mbizotëron mbi institucionet e drejtësisë.
Ai u ndal veçanërisht te çështja e Belinda Balluku, duke pretenduar se provat e paraqitura nga SPAK tregojnë për një nivel të lartë korrupsioni, por pavarësisht kësaj, sipas tij, ajo vijon të mbetet aktive në politikë.
“Qeveria po del mbi gjykatën duke përdorur forcën e kartonit”, deklaroi Korreshi, duke iu referuar votave në Kuvend që, sipas opozitës, kanë mbrojtur zyrtarë të akuzuar për korrupsion.
Ai shtoi se situata krijon një perceptim negativ në publik dhe dëmton besimin tek drejtësia, ndërsa theksoi se opozita ka kapacitet për të bërë më shumë, por ndryshimi – sipas tij – nuk mund të vijë vetëm përmes protestave.
Në përfundim, Korreshi theksoi se vendime të tilla ndikojnë edhe tek brezat e rinj, duke dhënë mesazhe të gabuara për mënyrën se si funksionon shteti dhe përgjegjësia publike.
