Kryetari i opozitës, Sali Berisha, ka deklaruar se Partia Demokratike do të votojë kundër draftit të propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë për referendumet, duke përjashtuar çdo bashkëpunim me mazhorancën në Kuvend.
Në një dalje për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të devijojë vëmendjen publike nga, sipas tij, aferat dhe abuzimet e qeverisë. Ai e cilësoi draftin si një “shashkë politike” pa përmbajtje reale reformuese.
“Ne nuk votojmë asnjë ligj me Partinë Socialiste. Rama përpiqet që me shashka të mbulojë vjedhjet, por kjo nuk do të ndodhë,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, opozita është aktualisht e përqendruar në dy procese të rëndësishme: reformën territoriale dhe reformën zgjedhore. Megjithatë, ai theksoi se nuk pret që të arrihet një produkt i përbashkët me qeverinë, pasi – sipas tij – mungon vullneti politik nga ana e mazhorancës.
Berisha shtoi se angazhimi i PD-së në këto reforma bëhet për të paraqitur alternativën e saj para opinionit publik, dhe jo për të bashkëpunuar me qeverinë.
Deklarata e tij vjen në një klimë të tensionuar politike, ku përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës janë intensifikuar, veçanërisht në lidhje me çështjet e korrupsionit dhe reformave institucionale.
