Procesi për zgjedhjen e Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit hyn sot në një fazë vendimtare, me zhvillimin e intervistave për 14 kandidatët në garë.
Komisioni i ngritur në Ministrinë e Brendshme, i përbërë nga zv/ministrja Silva Caka, sekretarja e përgjithshme Kledia Ngjela dhe kreu i AMP-së Eduart Merkaj, ka përfunduar më herët verifikimin e dosjeve, duke skualifikuar dy kandidate që nuk ishin pjesë e strukturave policore.
Pas intervistimit, kandidatët do të renditen sipas pikëve, ndërsa brenda 48 orëve ministri i Brendshëm Besfort Lamallari do t’i propozojë Këshillit të Ministrave një emër për emërim. Megjithatë, ligji i jep të drejtën ministrit të zgjedhë jo domosdoshmërisht kandidatin e renditur të parin.
Në garë janë disa emra të njohur të strukturave të policisë, përfshirë Tonin Vocaj, me eksperiencë në drejtimin e Policisë së Tiranës dhe strukturave kriminale, si dhe Skënder Hitaj, aktualisht drejtues në Policinë e Fierit dhe me eksperiencë në disa qarqe.
Mes kandidatëve spikasin gjithashtu drejtori i Policisë Kriminale Neritan Nallbati, drejtuesi për marrëdhëniet ndërkombëtare Pëllumb Seferi dhe ish-drejtori i Kufirit dhe Migracionit Saimir Boshnjaku.
Nga drejtuesit aktualë në qarqe garojnë edhe Elidon Çela (Vlorë), Afrim Tafa (Durrës) dhe Gentian Berberi (Shkodër), ndërsa pjesë e listës janë edhe emra nga Akademia e Sigurisë dhe struktura të tjera si Rebani Jaupi dhe Lorenc Panganika.
Posti i kreut të Policisë së Shtetit mbeti vakant pas dorëheqjes së Ilir Proda, ndërsa aktualisht drejtimin e mban i komanduar Sokol Bizhga.
Lista e plotë e kandidatëve përfshin: Afrim Tafa, Alfred Çepe, Arjanit Arapi, Elidon Çela, Gentian Berberi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lorenc Panganika, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku, Skënder Hitaj dhe Tonin Vocaj.
