Çmimi i naftës “ngrin” prej 5 ditësh, hyn në fuqi Bordi i Transparencës: qeveria e Edi Rama do të caktojë çmimin tavan dhe fitimin e kompanive

Data

Çmimi i naftës në Shqipëri ka mbetur i pandryshuar për pesë ditë radhazi, duke u shitur në rreth 214–217 lekë për litër në shumicën e pikave të karburantit, pavarësisht luhatjeve të forta në tregjet ndërkombëtare.

Në bursë, nafta arriti deri në 117 dollarë për fuçi më 19 mars, ndërsa më pas zbriti në rreth 100 dollarë, por kjo rënie nuk është reflektuar ende në tregun vendas.

Nga kjo javë, situata pritet të ndryshojë me hyrjen në fuqi të Bordit të Transparencës, i cili do të përcaktojë çmimet e karburanteve në vend. Vendimi, i firmosur më 19 mars nga kryeministri Edi Rama, parashikon që çmimi i naftës, benzinës dhe gazit të mos lihet më vetëm në dorë të tregut.

Anëtarët e bordit do të përzgjidhen më 24 mars, ndërsa brenda javës pritet të caktohen edhe parametrat kryesorë, përfshirë çmimin tavan dhe normën e fitimit për kompanitë.

Sipas vendimit, çmimi do të llogaritet duke marrë në konsideratë bursën ndërkombëtare, kostot e zhdoganimit dhe transportit, si dhe fitimin e operatorëve, i cili është përcaktuar në 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për pakicën për çdo litër.

Vendimet e Bordit do të jenë të detyrueshme për të gjitha subjektet që operojnë në tregun e hidrokarbureve, ndërsa shkeljet do të ndëshkohen me gjoba apo edhe pezullim licence.

Paralelisht, qeveria ka parashikuar edhe një mekanizëm lehtësues: nëse çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër, akciza do të ulet me 20%, nga 38.8 lekë në rreth 31 lekë për litër.

Masat vijnë në një moment pasigurie në tregjet globale të energjisë, ku zhvillimet gjeopolitike kanë ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e karburanteve, ndërsa autoritetet shqiptare synojnë të mbajnë nën kontroll ndikimin tek konsumatorët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related