Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë një mesazh zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke paralajmëruar për rreziqe të shtuara sigurie në nivel global.
Në njoftim, qytetarëve amerikanë u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rajonin e Lindjes së Mesme, për shkak të zhvillimeve të fundit dhe tensioneve në rritje.
Sipas Departamentit të Shtetit, amerikanët jashtë vendit duhet të ndjekin udhëzimet e sigurisë të dhëna nga ambasadat dhe konsullatat më të afërta, ndërsa theksohet se situata mund të ndikojë edhe në udhëtimet ndërkombëtare.
“Mbylljet periodike të hapësirës ajrore mund të shkaktojnë ndërprerje të udhëtimeve. Objektet diplomatike të Shteteve të Bashkuara, përfshirë ato jashtë Lindjes së Mesme, janë shënjestruar”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, paralajmërohet se grupe të lidhura me Iranin mund të synojnë interesa amerikane apo vende të lidhura me SHBA-në në mbarë botën.
Ky apel vjen në një moment të tensionuar ndërkombëtar, mes përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritjes së rreziqeve për sigurinë globale.
